Pas 11 vitesh, Shqipëria mirëpret sërish Kampionatin Ballkanik të Pingpongut. Edicioni i 33-të po zhvillohet në Elbasan, nga 24 deri më 28 qershor, duke mbledhur 13 shtete pjesëmarrëse dhe rreth 150 sportistë e zyrtarë. Shqipëria garon me një ekip më të madh në kampionatit, me 22 sportistë.
Ky është gjithashtu edicioni i parë në historinë e këtij kompeticioni që zhvillohet me pjesëmarrjen e 13 përfaqësueseve.
Organizatorët e konsiderojnë rikthimin e Kampionatit Ballkanik në Shqipëri si një dëshmi të besimit që sporti ballkanik ka ndaj vendit tonë, por edhe një mundësi për të promovuar pingpongun dhe për të rritur nivelin e sportistëve shqiptarë.
“Çdo gjë është perfekte. Jam shumë i lumtur që pas 11 vitesh jemi sërish në Shqipëri. Pjesëmarrja e 13 shteteve është rekordi i këtij kampionati. Falënderoj organizatorët në Elbasan për mikpritjen dhe jam i bindur se do të kemi një kampionat të suksesshëm”, tha Miloard Trpkovski, sekretar i përgjithshëm i Federatës Ballkanike të pingpongut.
Garat kanë nisur në pallatin e sportit në Elbasan dhe do të vijojnë deri më 28 qershor. Përveç synimit për të shpallur kampionët e rinj të Ballkanit, aktiviteti synon edhe forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë sportive mes vendeve të rajonit.





