IMT ka ndërhyrë këtë të enjte në shembjen e tre objekteve pranë Rrugës Transballkanike në Vlorë. Objektet konsideroheshin pengesë për vijimin e projektit që lidh Rrugën Transballkanike me Portin e Vlorës, si edhe me projektin e Lungomares 4.
Shembja e objekteve u realizua pasi ato ishin shpronësuar që në vitin 2018. Prej kohësh, godinat ishin kthyer në të pabanueshme dhe përbënin shqetësim për banorët e zonës. Sipas autoriteteve, ato frekuentoheshin kryesisht nga persona përdorues të lëndëve narkotike, çka solli edhe vendimin për prishjen e tyre.
Në mbështetje të IMT-së ishin edhe forcat zjarrfikëse të Vlorës, me qëllim parandalimin e çdo problematike që mund të krijohej gjatë operacionit.
Shembja e këtyre objekteve i hap rrugë vijimit të projektit, ndërsa autoritetet po evidentojnë edhe objekte të tjera dhe rrethime që pengojnë zbatimin e tij. Qëllimi mbetet lirimi i plotë i hapësirës dhe vazhdimi i punimeve sipas planit të parashikuar.
/vizionplus.tv





