Partia Komuniste e Rusisë i ka kërkuar shërbimit të sigurisë FSB dhe prokurorëve të lartë që të hetojnë përfshirjen e mundshme të agjencive të inteligjencës perëndimore në vdekjen e liderit sovjetik, Joseph Stalin në vitin 1953, njoftoi agjencia e lajmeve RIA.

“Partia iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme të Federatës Ruse dhe FSB-së me një kërkesë për të hetuar përfshirjen e mundshme të shërbimeve të inteligjencës perëndimore në vdekjen e Joseph Vesarionovich Stalin,” tha kryetari i partisë Sergei Malinkovitch, sipas RIA.

Sipas Malinkovitch, shumë dëshmi flasin për një helmim të mundshëm.

“Shumë dëshmi nga bashkëkohësit e Stalinit flasin për helmimin e mundshëm të liderit të kombeve sovjetike nga agjentë të ndikimit perëndimor,” tha Malinkoviç sipas RIA.

Nuk dihet nëse FSB-ja apo Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm iu përgjigjën kërkesës së partisë.

Sot është 71-vjetori i vdekjes së Stalinit, i cili udhëhoqi Bashkimin Sovjetik nga viti 1924 deri në ditën kur vdiq. Shkaku i vdekjes së tij ishte hemorragjia, sipas qeverisë.

Stalini mbikëqyri industrializimin e shpejtë të Rusisë, por gjatë sundimit të tij miliona njerëz vdiqën në spastrime, kampe pune në Gulag dhe zi buke.

Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë një vlerësim të matur për Stalinin, duke lavdëruar udhëheqjen e tij në luftë, por duke dënuar politikën e tij të brendshme si “totalitare”.

Partia Komuniste e Rusisë (CPCR) u themelua në vitin 2012. Rivali i saj kryesor në të majtë të spektrit politik rus është Partia Komuniste e Federatës Ruse (CPRF), e cila e përshkruan veten si pasuese e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *