Subscribe

Shirat e dendur dhe ulja e temperaturave në 24 orët e fundit janë sinjale se dimri i vonuar i këtij sezoni tashmë ka nisur Ministria e Infrastrukturës së bashku me autoritetin rrugor, për t’i paraprirë borës dhe ngricave kanë nisur nga zbatimi planin e masave për mirëmbajtjen e rrugëve, kryesisht në veri të vendit.

 

Në këtë plan janë angazhuar 500 mjete borëpastruese si dhe 1200 punonjës.

 

“Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka në fokus kryesor pjesën e mirëmbajtjes së akseve rrugore, ku mirëmbajtja është ndarë në dy pjesë. 1300 kilometra praktikisht është në kontratën e mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore, ku ka katër kontrata që mbulojnë veriun, qendrën dhe jugun dhe pjesa tjetër e akseve rrugore, që janë 2400 kilometra, mirëmbahet nga Drejtoritë Rajonale në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar”, bëri të ditur drejtori Verdho.

 

Ministrja Balluku gjatë një inspektimi në Kukës kërkoi bashkëpunimin e pushtetit vendor me autoritetin rrugor me qëllim ndërhyrjen në akset që do të paraqesin problematikë.

 

“Është shumë e rëndësishme dhe duhet theksuar që bashkëpunimi i Bashkisë me Autoritetin Rrugor Shqiptar është një pjesë shumë e rëndësishme, sidomos në zonat të cilat e kanë edhe problematikën e motit të përkeqësuar, siç është zona e Kukësit, Ersekës apo Korçës. Sigurisht ne bëjmë punën, i kemi të gjitha fuqitë edhe mundësitë për ta përballuar, por bashkëpunimi me Bashkinë është shumë i rëndësishëm pasi ARRSH-ja shpesh herë mund t’ju vijë dhe ju në ndihmë për gjithçka që keni nevojë”, tha Balluku.

 

Sipas meteorologëve ditët në vijim pritet të ketë reshje bore thuajse në të gjithë vendin, ndërsa nuk do të mungojnë edhe reshjet e dendura të shiut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *