Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë sjellë rritje të numrit të vizitave në shërbimin e pediatrisë në spitalin e Korçës. Çdo ditë paraqiten deri në 45 fëmijë, kryesisht me shqetësime të traktit gastrointestinal si të vjella, diarre dhe në disa raste temperaturë.
Mjekët apelojnë që prindërit të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe, duke shmangur ekspozimin e fëmijëve në orët e pikut të vapës dhe duke respektuar rregullat e higjienës.
Sipas shefit të shërbimit të pediatrisë, në rast se fëmijët shfaqin simptoma, ata duhet fillimisht të konsultohen me mjekun e familjes, i cili do të ndjekë ecurinë e gjendjes. Nëse situata e kërkon, fëmijët referohen në urgjencë ose në shërbimin e Pediatrisë, ku mjekët vendosin trajtimin e duhur për secilin rast.
Aktualisht, në repartin e pediatrisë në spitalin e Korçës janë të shtruar 11 fëmijë.
/vizionplus.tv





