Salla e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë u mbush mbrëmjen e së enjtes me artdashës, të cilët duartrokitën premierën e komedisë “Demos”, një vepër e frymëzuar nga Aristofani.
Shfaqja solli në skenë një kastë të spikatur aktorësh, ku spikatën Zamira Kita, Guri Koço, Xhejni Fama dhe emra të tjerë të njohur të teatrit korçar e shqiptar.
Përmes humorit, satirës dhe revoltës, “Demos” përcjell mesazhe që, ndonëse janë shkruar shekuj më parë, tingëllojnë po aq aktuale edhe në realitetin e ditëve tona.
“Edhe pse është shkruar shumë vite më parë, kjo vepër flet për probleme që i jetojmë edhe sot. Kjo e bën atë të afërt me publikun”, tha aktorja Zamira Kita.
“Aristofani mbetet bashkëkohor, sepse natyra njerëzore dhe pushteti nuk kanë ndryshuar shumë. Kjo është arsyeja pse ‘Demos’ tingëllon kaq aktuale”, u shpreh regjisori Altin Basha.
“Muzika është ndërtuar për të mbështetur ritmin dhe energjinë e komedisë, duke i shërbyer mesazhit të saj satirik”, tha Trimor Dhomi, kompozitor
“Publiku reagoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo është kënaqësia më e madhe për çdo artist”, shtoi Xhejni Fama, aktor
Në fund të shfaqjes, publiku i shpërbleu aktorët dhe stafin realizues me duartrokitje të gjata, duke e kthyer premierën në një sukses artistik.
Pas premierës në Korçë, komedia “Demos” do të vijojë rrugëtimin e saj duke u bërë pjesë e Festivalit të Komedisë.





