Pasi rezultoi kandidati më i votuar nga listat e hapura të Partisë Socialiste, Blendi Gonxhja tha se ky votëbesim duhet përkthyer në punë për qytetarët.
“Ndjenjë shumë e madhe përgjegjësie, një barrë që të rëndon shumë më tepër sesa po të mos isha kandidati më i votuar, është një gëzim, krenari, kënaqësi, por nga ana tjetër është përgjegjësi shumë e madhe që duhet të përkthehet menjëherë në përveshje mëngësh për të filluar punën. Ne sot këtu me këtë marrëveshje prekim një nga zonat më problematike, atë të kombinatit, menjëherë pas zgjedhjeve fillon puna”, tha Gonxhja, ministër për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin.
Besimi që qytetarët e Tiranës i dhanë me votë Blendi Gonxhes është lidhur edhe me mundësinë që në të ardhmen e afërt, ai të jetë kandidat për kryetar në Bashkinë e Tiranës. Por vetë Gonxhja e mohon diçka të tillë.
“Bashkia e Tiranës zyrtarisht e ka kryetarin e vet, e ka datën e vet të zgjedhjeve, nuk ka lidhje me këtë gjë, pritshmëria shumë pozitive qarku Tiranë të mbush me krenari, por nuk shoh lidhje direkte me postin e kryebashkiakut, përveçse asaj që ne të gjithë si anëtarë të rinj të Parlamentit duhet të ndjejmë sapo të kemi para syve tona tema, çështje, vendime që lidhen me Bashkinë e Tiranës, duhet të jemi më të vëmendshëm dhe solidarë për Bashkinë Tiranë për çdo problematikë, situatë, projekte, ku ka vonesa, duhet të lobojmë sa më shumë që një organ i rëndësishëm si Bashkia Tiranë të shërbehet dhe ndihmohet sa më shumë në këtë situatë jo vetëm për shkak të ngjarjes që lidhet me kryetarin e saj, por edhe për shkak të rëndësisë që ka. Këtë lidhje shoh unë me Bashkinë Tiranë”, tha Gonxhja.
Në zgjedhjet e 11 majit, Blendi Gonxhja garoi në listë të hapur për Qarkun Tiranë dhe siguroi 24,802 vota, duke hyrë kështu në parlament si deputet./vizionplus.tv





