Ethet e Nilit Perëndimor po përhapen me shpejtësi në rajon, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Greqia po raportojnë një rritje të rasteve dhe viktimave gjatë ditëve të fundit.
Në Maqedoninë e Veriut është shënuar viktima e dytë nga virusi. Një 72-vjeçar, i cili po trajtohej në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, ka humbur jetën pasi u infektua nga pickimi i një mushkonje. Sipas mjekëve, pacienti vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese. Pak ditë më parë, nga virusi kishte humbur jetën edhe një 83-vjeçar.
Aktualisht, në Klinikën Infektive në Shkup janë të shtruar 19 pacientë të diagnostikuar me ethet e Nilit Perëndimor, të gjithë mbi moshën 60 vjeç. Të gjitha rastet janë konfirmuar përmes analizave laboratorike.
Gjatë kësaj jave janë regjistruar edhe shtatë raste të reja, të gjitha në Shkup. Dy raste janë evidentuar në komunat Kisella Vodë dhe Gazi Babë, ndërsa nga një rast është raportuar në Ilinden, Butel dhe Aerodrom.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Rrezikun më të madh për zhvillimin e komplikacioneve e kanë personat mbi 60 vjeç, individët me sistem imunitar të dobësuar dhe pacientët me sëmundje kronike.
Për virusin nuk ekziston një trajtim specifik antiviral dhe mjekimi përqendrohet kryesisht në lehtësimin e simptomave. Rastet e rënda mund të kërkojnë shtrim në spital.
Situata paraqitet edhe më e rënduar në Greqi. Sipas Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik (EODY), deri më 12 gusht janë konfirmuar 110 raste të virusit të Nilit Perëndimor dhe 9 viktima.
Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 45 raste të reja, shifra më e lartë javore që nga fillimi i sezonit të transmetimit.
Nga 110 rastet e konfirmuara në Greqi, 81 pacientë kanë zhvilluar forma të rënda neurologjike, përfshirë encefalitin, meningjitin ose meningoencefalitin. 29 persona kanë shfaqur simptoma më të lehta ose nuk kanë pasur përfshirje të sistemit nervor qendror.
Aktualisht, 35 pacientë vijojnë të jenë të shtruar në spitale, ndërsa 16 prej tyre ndodhen në njësitë e terapisë intensive. Deri tani, 61 persona janë larguar nga spitali pas trajtimit, ndërsa pesë të infektuar nuk kanë pasur nevojë për shtrim.
Autoritetet greke bëjnë me dije se të nëntë viktimat ishin mbi 65 vjeç, me një moshë mesatare prej 82 vjeç. Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet, pasi kulmi i sezonit të transmetimit pritet brenda tre deri në katër javëve të ardhshme.
Sipas epidemiologes Theodora Psaltopoulou, numri i viktimave të regjistruara këtë vit është arritur shumë më herët se në vitin e kaluar. Gjatë gjithë sezonit të vitit 2025, Greqia regjistroi 96 raste dhe 9 viktima, ndërsa këtë vit këto shifra janë arritur që në mesin e gushtit.
Specialistët theksojnë se mosha mbi 60 vjeç është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e formave të rënda të sëmundjes. Personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar komplikacione neurologjike.





