Subscribe

Pagat e larta për gjykatësit dhe prokurorët që do të dalin nga reformimi i sistemit të drejtësisë, shihen si dinjitoze nga ekspertët e ekonomisë. Edhe pse ata pranojnë se nuk ka një lidhje shkak – pasojë, niveli i pagës me luftën kundër korrupsionit, argumentojnë se përzgjedhja e tyre dhe integriteti personal, duhet të nënkuptojë edhe një shpërblim për të bërë një jetë të denjë dhe pa probleme ekonomike. Për drejtorin e qendrës për kërkime ekonomike, Zef Preçin, vlera që do t’i sjellë ekonomisë sistemi i ri, do të jetë më e madhe se shpenzimet që do të paguajë buxheti për ta. Zgjidhja në mënyrë të shpejtë e çështjeve të pronësisë apo sekuestrimi i pasurive të krimit të organizuar, janë një dobi më e madhe për qytetarët shqiptarë. Por kjo do të jetë e dhimbshme për vitet e para. Ekspertët thonë se buxheti duhet të heqë shpenzimet për investime në rrugë, arsim apo shëndetësi që të gjejë këto para, ose përndryshe duhet të rritë taksat.
Përmbysja e sistemit të hierarkisë në paga, nuk po ndodh për herë të parë në Shqipëri, thonë ekspertët. Pagën më të lartë se Presidenti i Republikës e ka edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, apo drejtuesit e korporatave shtetërore, por kjo do të kërkojë edhe një rregullim në ligjin e buxhetit. Sa i përket pensioneve, ekonomistet bien dakord që të jenë në nivel të përafërt me rrogën e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *