Lidja Lapi është një nga të rinjtë që nisi karrierën e saj përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës.
Pas diplomimit, ajo zhvilloi praktikën dhe sot është e punësuar në Agjencinë Kombëtare të Rinisë.
Historia e saj është një nga shembujt e programit, i cili ka hapur sërish aplikimet për të rinjtë, deri më 16 gusht.
“Kur aplikova për praktikë pune në shtator, ishte një fazë tranzicioni për mua, pasi nuk kisha eksperiencë në tregun e punës dhe praktikat më ndihmuan ta bëja këtë tranzicionin më të lehtë. Ka qenë eksperiencë nga e cila kam mësuar shumë. Kam qenë një nga të përzgjedhurit për të vijuar me kontratë njëvjeçare”, u shpreh Lidja Lapi, specialiste e Projekteve të Brendshme, AKR.
Programi, që këtë vit shënon thirrjen e njëmbëdhjetë, ka patur interes të lartë. Deri më tani janë regjistruar rreth 600 aplikime.
“Gjatë këtyre viteve janë punësuar 1600 me një kontratë njëvjeçare, por kanë qëndruar edhe më gjatë në vendet e punës”, tha Sara Bodo, Drejtoreshë eAgjencisë Kombëtare të Rinisë.
Agjencia Kombëtare e Rinisë prezantoi edhe programin EU4Youth, i cili do të mbështesë organizatat rinore me grante deri në 50 mijë euro për projekte që nxisin vullnetarizmin, përfshirjen sociale dhe sportin, me fokus të veçantë tek të rinjtë në zonat rurale.
/vizionplus.tv





