Shifrat e lindshmërisë po pësojnë rënie të ndjeshme dhe një ndër faktorët kryesorë mbetet infertiliteti. Sipas të dhënave, 1 në 6 çifte e kanë të pamundur të sjellin në jetë një fëmijë.
“Infertiliteti prek një në gjashtë çifte. Ndër shkaqet që ne mund të listojmë janë shtyrja e moshës së shtatzënisë, obeziteti, duhanpirja, problematikat të cilat mund të lidhen edhe me sëmundje si endometrioza, PCOS, ndryshimi i stilit të jetesës, ndotja dhe përdorimi i disa produkteve të cilat mund të sjellin ndryshime hormonale.” , tha Uarda Ismaili, mjeke gjinekologe.
Për shumë vite është menduar se infertiliteti lidhet kryesisht me gruan, por ky perceptim nuk qëndron. Mjekja gjinekologe Uarda Ismaili, në një intervistë për Vizion Plus, shpjegon se problemi mund të jetë në të njëjtën masë edhe te mashkulli.
“Kontributi i krijimit të një embrioni, i një bebi, është nga të dyja gjinitë, si tek burri dhe tek gruaja. Kontributi gjenetik është i të dyve së bashku. Ne e përcaktojmë atë me një përqindje, ku infertilitetin e shikojmë 40% tek gratë dhe 40% tek burrat. 20% është kontributi i të dyve dhe infertiliteti që ndodh pa shkak, pa arsye. Miti qëndron që problemi është vetëm tek gruaja, por nuk është e vërtetë, sepse problemi mund të qëndrojë edhe tek një ndryshim i rëndësishëm i qelizave mashkullore.”
Infertiliteti diagnostikohet kur një shtatzëni nuk arrihet pas 12 muajsh përpjekjesh ose pas 6 muajsh për gratë mbi 35 vjeç.
“Nëse kemi një çift të ri, të cilët kanë tentuar mbi një vit dhe nuk kanë pasur rezultat për një shtatzëni, duhet me patjetër të drejtohen tek mjeku specialist. Nëse kalojmë mbi 35 vjeç, duhet të shkojmë tek mjeku pas 6 muajsh, pra nëse kemi tentuar 6 muaj rresht dhe nuk kemi mbetur shtatzënë, atëherë duhet patjetër të shkojmë tek mjeku specialist.”
Mjekja Ismaili rendit edhe format e trajtimit të infertilitetit.
“Trajtimin e bëjmë sipas rastit, të personalizuar. Ne tentojmë ta stimulojmë gruan dhe fillojmë me procedura si p.sh. inseminimi dhe, nëse këto rezultojnë të pasuksesshme, kalojmë në fertilizim in vitro.”
Mjekët theksojnë se infertiliteti nuk duhet parë si një diagnozë pa zgjidhje. Me diagnostikimin në kohë dhe trajtimin e duhur, shumë çifte arrijnë të realizojnë ëndrrën për t’u bërë prindër.
/vizionplus.tv





