Një operacion policor kundër veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit është finalizuar në Divjakë, ku dy persona janë arrestuar dhe janë sekuestruar pajisje kompjuterike të përdorura për këtë aktivitet.
Operacioni i koduar “Game Over” u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas kontrolleve në lokale dhe ambiente të dyshuara për organizim të lojërave të fatit.
Në pranga ka rënë pronari i një lokali në fshatin Karavasta e Re, shtetasi A. Ç., 52 vjeç, pasi dyshohet se në ambientin e tij zhvilloheshin lojëra fati përmes kompjuterëve dhe aparateve celularë.
Gjithashtu, është arrestuar edhe kamarieri i lokalit, E. Ç., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në celularin e tij janë gjetur faqe të ngjashme me ato të basteve sportive. Nga verifikimet rezultoi se ai punonte edhe në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë institucioneve përkatëse.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme hetimore.





