Në Tiranë ka nisur numërimi i votave preferenciale për kandidatët, dhe sipas raportimeve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më i votuari brenda listës së Partisë Demokratike deri tani është Ilir Alimehmeti.
I ftuar në studion e emisionit 7pa5 në Vizion Plus, Alimehmeti shprehu zhgënjimin e tij për mënyrën se si është zhvilluar procesi zgjedhor, duke deklaruar:
“Më vjen keq që edhe në 2025 kemi të njëjtat probleme. Zgjedhje të lira dhe të ndershme kjo Shqipëri nuk dinka t’i bëjë. Pse? Sepse kjo qeveri ka frikë nga rezultati. Një vërtetues i kësaj është pjesëmarrja e ulët në votime.”
Ai theksoi se pjesëmarrja nën 50% është një tregues i qartë i një demokracie të cenuar dhe u shpreh se shumica e qytetarëve nuk marrin pjesë në zgjedhje për shkak të frikës, pamundësisë dhe humbjes së besimit:
“Voton më pak se gjysma e popullatës, përfshirë diasporën. PS ka shumicën e pakicës. Shumica nuk voton fare, sepse intimidohet, është e pamundur, ka ikur pa kthyer kokën mbrapa. Po jetojmë një realitet ku ky komb po shuhet. Ne në këtë Shqipëri po bëjmë politika anti-familje. Këto fitore po na çojnë mbrapsht.”
Alimehmeti theksoi nevojën për përfaqësim real në Kuvend dhe për një politikë që u jep zë njerëzve të ndershëm:
“Ky vend nuk i mungon njerëzit e drejtë, por njerëzve të drejtë u mungon zëri. Njerëzit janë të intimiduar për të votuar. Duhet të pranojmë problemet që kemi.”
Në lidhje me mundësinë e një tërheqjeje të Sali Berishës pas këtyre zgjedhjeve, Alimehmeti u shpreh se është ende herët për diskutime të tilla, pasi procesi i numërimit nuk ka përfunduar.
“Unë nuk jam djegës i etapës. Jemi në procesin e numërimit. Pastaj shohim raportin e OSBE-ODIHR-it, i analizojmë, dhe kryesia do mblidhet për të marrë vendime. Unë nuk jam anëtar i kryesisë, por si anëtar i Këshillit Kombëtar, do jem pjesë e diskutimeve.”
Ai gjithashtu ngriti shqetësime për mungesën e drejtësisë lidhur me krimet zgjedhore të vitit 2021, duke theksuar se:
“Më shqetëson që kemi ende krime zgjedhore të 2021 që nuk janë hetuar. Dhe a kemi një shembull që të mos ndodhin më në 2025? Jo. Ata që komandojnë dhe japin urdhra për shkelje bëhen ministra. Ndërkohë, ndonjë komisioner, ndonjë polic, hallka e fundit, përfundon në burg. Peshku qelbet nga koka.”
Procesi i numërimit për Tiranën pritet të zgjasë ende, ndërsa rezultatet përfundimtare dhe vendimet politike të opozitës do të varen nga përfundimi i këtij procesi dhe vlerësimet ndërkombëtare.
/vizionplus.tv





