
Rama: Dilni takoni qytetarët! Kryeministri mbledh qeverinë dhe drejtuesit politikë, fokusi tek protestat
Kjo e mërkurë e gjeti kabinetin qeveritar dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në një mbledhje në selinë rozë, e kërkuar nga kryeministri Edi Rama.
Për më shumë se një orë, kryeministri adresoi një sërë çështjesh me fokus protestat për çështjen e Zvërnecit.
“Një luftë digjitale” u cilësua situata aktuale nga vetë Rama, i cili u shprehu se algoritmet e protestës nuk mund të zëvendësojnë punën në terren dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët.
Pikërisht në këtë drejtim u përqendruan edhe porositë e tij për drejtuesit politikë dhe ministrat, të cilëve u kërkoi të jenë më aktivë në rrjetet sociale sa i përket tubimeve qytetare.
Gjithashtu, burime nga mbledhja bëjnë me dije se kreu i qeverisë kërkoi një koordinim më të shpejtë mes ministrave dhe deputetëve për të adresuar problemet e qytetarëve, një çështje e cila u diskutua edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS të mbajtur me dyer të mbyllura ditën e shtunë.
Për Ramën është me rëndësi që ligjvënësit të jenë aty për qytetarët dhe të njihen me çdo shqetësim të tyre, duke nisur nga problemet me infrastrukturën e deri tek shërbimet.
Gjithashtu Rama tha se zyrat e deputetëve duhet të jenë gjithmonë të hapura për banorët e zonave që mbulojnë, në mënyrë që ata të kenë mundësinë të kontaktojnë të zgjedhurit e tyre.




