Situata paraqitet sërish e tensionuar në hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës edhe gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve nga terreni, rojet e sigurisë nuk kanë lejuar punonjësit e kompanisë MABCO të hyjnë në ambientet e terminalit dhe në zonën e aeroportit për të vijuar punimet.
Ndërkohë, kamionët e kompanisë 2A Group vijojnë të mbajnë të bllokuara hyrjet e kantierit, duke penguar aksesin e punonjësve dhe mjeteve të punës.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe presidenti i MABCO-s, Emin Pacolli, vëllai i vogël i Bexhet Pacollit, i cili ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për zgjidhjen e situatës.
Forcat e policisë kanë shkuar në kantier, por sipas deklarimeve të bëra në terren, nuk kanë ndërmarrë veprime për zhbllokimin e hyrjeve, duke argumentuar se janë në pritje të urdhrave dhe procedurave përkatëse nga organet kompetente.
Aktualisht, të gjitha hyrjet e kantierit të Aeroportit të Vlorës mbeten të bllokuara nga rojet e sigurisë, duke pamundësuar hyrjen e punonjësve dhe vijimin normal të punimeve. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse autoritetet do të ndërhyjnë për të zgjidhur konfliktin që po pengon ecurinë e projektit.
/vizionplus.tv




