Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Lezhë–Mabë, ku ka humbur jetën një shtetas nga Kosova, ndërsa kanë mbetur të plagosur rëndë motra e tij dhe i biri.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti me të cilin udhëtonin viktima dhe familjarët e tij është përplasur me një trajler. Për pasojë, njëri prej pasagjerëve ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se drejtuesi i trajlerit është arrestuar nga policia, ndërsa po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 04:30, në aksin rrugor Lezhë–Mabë, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin A. M., është përplasur me një automjet me drejtues shtetasin kosovar K. B.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. B., ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa motra e tij, shtetasja F. B., dhe djali i tij, shtetasi F. B., janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i kamionit, shtetasi A. M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.





