Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj Dritan Goxhajt, një prej figurave të përmendura si organizator i protestës së fundit, duke publikuar një dokument që, sipas tij, i përket UÇK-së dhe hedh dritë mbi një episod të vitit 1999.
Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, më 14 prill 1999 në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan kanë mbërritur si vullnetarë katër oficerë të Ushtrisë Shqiptare: Arqile Mandro, Ermir Begaj, Driton Çyrmishaj dhe Agim Sallaku. Në dokument thuhet se ata janë transportuar deri në qendrën stërvitore nga Dritan Goxhaj.
Më tej, sipas përmbajtjes së dokumentit, kur oficerët e kanë pyetur Goxhajn nëse do të qëndronte për të luftuar për çlirimin e Kosovës, ai është përgjigjur: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës”.
Rama deklaroi se dokumenti i është dërguar nga një ndjekës në rrjetet sociale, ndërsa shoqëroi publikimin me komente të forta ndaj Goxhajt.
“Po mos bre, mos ia qani nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”, citoi kryeministri fjalët e një personi që kishte humbur familjarë gjatë luftës dhe që i kishte përcjellë dokumentin.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se nuk do të lejojë që emri dhe simbolika e UÇK-së të përdoren për qëllime që, sipas tij, bien ndesh me historinë dhe sakrificat e luftës.
“Jo për një manipulator gjysmë taleban e gjysmë mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, shkroi Rama.
Rama për Dritan Goxhajn:
“Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që i revoltuar me hosanatë e mbrojtësve të këtij tipit, më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah☹️
Ndërsa këto janë fjalët e mia:
Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së🇦🇱🦅🇽🇰
Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet🤡





