Kryeministri Edi Rama ka kritikuar hapur disa prej kryetarëve të bashkive të vendit, edhe pse nuk përmendi emra, duke ngritur shqetësimin për mungesën e pranisë së tyre në territor gjatë javës.
Ai u shpreh se disa prej tyre lënë komunitetet pa drejtim dhe shfaqen në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës në zonat që administrojnë.
Rama theksoi se kjo praktikë nuk është e justifikueshme dhe duhet të marrë fund sa më shpejt.
Sipas tij, shqetësimi i ngritur nga komunitetet, veçanërisht në jug-lindje të vendit, është i përsëritur dhe kërkon adresim të menjëhershëm.
Rama: Me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive. Nuk dua t’i përmend këtu me emra. Janë bërë pak problem…po e them në mënyrë të butë…për komunitetin pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje.
Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nuk janë të gjithë, por janë disa. Shembulli i ministrit aktual të Pushtetit Vendor, i cili vjen nga një eksperiencë shërbimi jashtë Tiranës, edhe pse shtëpinë e kishte dhe e ka në Tiranë është një shembull që duhet ta kenë parasysh disa qytetarë.
Sot nuk po i përmend me emër, por herën tjetër do t’i përmend me emër dhe publikisht. Lënë komunitetin dhe detyrën para se të vijë momenti zyrtar i pushimit dhe vijnë në Tiranë. Kjo gjë nuk është e justifikueshme dhe nuk është e pranueshme, besoj që kam të gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë e më parë këtë shqetësim, i cili është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur nga disa prej komuniteteve tuaja, në jug-lindje të vendit.





