Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga takimi me strukturat e bashkëqeverisjes, zëvendësministrat dhe drejtuesit e drejtorive, ku ka folur për vonesat në dhënien e përgjigjeve dhe respektimin e afateve.
Rama tha se do të përcaktohet përgjegjësi për çdo shkelje afati.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, u shpreh Rama.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që çështjet që pengohen nga ndalesa ligjore të ndahen në kategori, në mënyrë që vendimmarrësit të përcaktojnë nëse pengesat duhet të hiqen apo të mbeten në fuqi.
Sipas Ramës, qytetarëve duhet t’u jepet një përgjigje e qartë dhe jo të mbahen në pritje.
“Të gjitha ato çështje që kanë ndalesë ligjore, duhen ndarë në kategori të ndryshme dhe në atë moment pastaj, është çështja e vendimmarrësve që të thonë “kjo ndalesë zgjidhet, kjo ndalesë duhet të qëndrojë” dhe njerëzve u duhet thënë kjo, nuk bëhet, “edhe po, dhe jo, as mish as peshk, as këtej, as andej” quhet torturë, nuk quhet përgjigje”, tha kreu i qeverisë.
Rama iu drejtua edhe zëvendësministrave, duke kërkuar që ndjekja e përgjigjeve ndaj qytetarëve të jetë prioriteti kryesor i punës së tyre të përditshme.
“Zëvendësministrat që janë të përcaktuar duhet ta kenë këtë prioritetin numër një të punës së tyre të përditshme, duhet ta nisin ditën me sa përgjigje u dhanë dje, sa përgjigje duhen dhënë sot dhe sa përgjigje nuk u dhanë në kohë dhe duhet të merren pastaj me ato përgjigje nuk u dhanë në kohë. Pse nuk u dhanë?”, përfundon shefi i qeverisë shqiptare.





