Një arratisje e organizuar si në filma ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Greqi, gjatë transferimit të një të burgosuri shqiptar nga burgu i Nigritës drejt Spitalit të Përgjithshëm të Serres.
Sipas informacioneve të para, rreth orës 23:30, automjeti i transportit të të burgosurve ndodhej në oborrin e spitalit, pranë pavijonit të psikiatrisë. Brenda furgonit ndodheshin 41-vjeçari dhe dy persona që, sipas raportimeve, i përkisnin shërbimit të jashtëm të sigurisë së burgut.
Lexo edhe :
Related Posts
Në atë moment, në vendngjarje u shfaqën bashkëpunëtorët e të burgosurit, të cilët lëviznin me automjete që ngjanin me ato të policisë. Nga të dhënat paraprake nuk rezulton se autorët kishin veshur uniforma policie apo se ishin paraqitur si pjesëtarë të njësisë speciale OPKE.
Megjithatë, një prej automjeteve dyshohet se ishte një Nissan Navara, i ngjashëm me automjetet që përdoren edhe nga njësitë e OPKE-së, dhe kishte gjithashtu një dritë sinjalizuese. Kjo bëri që shoqëruesit e të burgosurit fillimisht të mendonin se bëhej fjalë për forca policore.
Situata ndryshoi brenda pak sekondash. Personat që ndodheshin në automjet zbritën duke mbajtur në duar armë të tipit Kallashnikov dhe, nën kërcënimin e armëve, neutralizuan shoqëruesit.
Më pas, ata ndihmuan 41-vjeçarin shqiptar të arratisej dhe, sipas informacioneve, i morën edhe armën e shërbimit një prej punonjësve të burgut. Autorët u larguan me automjetet e tyre dhe humbën gjurmët.
Në momentin e arratisjes, në ambientet e spitalit ndodheshin edhe dy të burgosur të tjerë, të cilët ishin dërguar për trajtim mjekësor nën shoqërim të veçantë.
Sipas informacioneve, shqiptari ishte arrestuar vitin e kaluar nga strukturat kundër Krimit të Organizuar në lidhje me një çështje për tentativë vrasjeje në Selanik, pas një incidenti në një kantinë. Ai dyshohet gjithashtu se ka qenë i përfshirë në çështje që lidhen me armë dhe drogë.
Pas arratisjes, autoritetet greke kanë ngritur alarmin dhe kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e 41-vjeçarit, si dhe të personave të armatosur që morën pjesë në operacionin e organizuar të arratisjes.
Deri në këto momente, i arratisuri dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë lokalizuar.







