Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht një prej arterieve më të rëndësishme të transportit të naftës, pasi tubacioni strategjik Lindje–Perëndim u godit nga disa dronë.
Sulmet ndodhën në rajonet e Riadit dhe Medinës, ndërsa autoritetet saudite thanë se dronët ishin nisur nga territori i Irakut.
Nga sulmi pati persona të plagosur, të cilët morën trajtim mjekësor, ndërsa dëmet në infrastrukturën energjetike janë ende duke u vlerësuar.
Tubacioni, i gjatë rreth 1 mijë e 200 kilometra, është veçanërisht i rëndësishëm për Arabinë Saudite, pasi i mundëson eksportimin e naftës drejt Detit të Kuq, duke shmangur ngushticën e Hormuzit.
Sipas Reuters, në muajt e fundit nëpër këtë linjë janë transportuar rreth 4 deri në 5 milionë fuçi naftë në ditë, që përbëjnë afërsisht 4 deri në 5 për qind të furnizimit global.
Rijadi ka vendosur të mos hakmerret menjëherë ndaj sulmit, pas një kërkese të kryeministrit irakian, por ka paralajmëruar se rezervon të drejtën të marrë çdo masë të nevojshme për mbrojtjen e sovranitetit dhe infrastrukturës së tij.
Ndërkohë, qeveria irakiane ka dënuar sulmin dhe ka nisur hetimet për gjetjen e autorëve.
Pas sulmeve, Iraku ka ndërmarrë edhe masa të tjera sigurie, ndërsa një komandant ushtarak është shkarkuar pasi hetimet konfirmuan se sulmet ishin nisur nga territori irakian.
Goditja ndaj tubacionit vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për tregjet energjetike, pasi tensionet në Lindjen e Mesme kanë shtuar rrezikun për ndërprerje të furnizimit global me naftë.





