Mediat greke kanë publikuar foton e shqiptarit 41-vjeçar që u arratis mbrëmjen e së premtes nga Spitali i Përgjithshëm i Serres, në një operacion spektakolar të organizuar nga bashkëpunëtorët e tij.
Sipas raportimeve të mediave greke, ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, gjatë transferimit të të burgosurit nga burgu i Nigritës drejt spitalit të Serres, pasi ai kishte pretenduar se nuk ndihej mirë.
Lexo edhe :
Related Posts
Në momentin kur i burgosuri mbërriti në ambientet e spitalit, katër persona të armatosur u shfaqën në zonë. Ata ishin veshur si efektivë të njësisë speciale të policisë greke OPKE, duke bërë që punonjësit e burgut të mos dyshonin fillimisht për qëllimet e tyre.
Brenda pak sekondash, situata ndryshoi. Nën kërcënimin e armëve, autorët çarmatosën punonjësit e burgut dhe morën me vete të burgosurin. Më pas u larguan me një automjet në drejtim të paditur.
I arratisuri përshkruhet nga autoritetet greke si një person me precedentë të rëndë penalë. Sipas raportimeve, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një ngjarje të armatosur në Selanik, ku në të kaluarën ka qëlluar me armë në mes të ditës.
Pas arratisjes, policia greke ka nisur një operacion të gjerë për lokalizimin dhe arrestimin e tij dhe të personave që ndihmuan në arratisje. Kontrollet janë përqendruar në zonën përreth Serres, ndërsa janë ngritur postblloqe në akset kryesore rrugore dhe në pikat kufitare.






