Harry Kane ka folur për të ardhmen e tij, duke dhënë sinjale pozitive rreth rinovimit të kontratës me Bayern Munich.
Sulmuesi anglez ka zbuluar se negociatat po ecin në drejtimin e duhur dhe shpreson që brenda një ose dy muajve palët të arrijnë në pikën që dëshirojnë.
“Bisedimet për kontratën po shkojnë mirë. Shpresoj që në një ose dy muajt e ardhshëm të jemi aty ku duam të jemi”, u shpreh Kane.
Kapiteni i Anglisë theksoi gjithashtu se aktualisht ndihet shumë mirë dhe dëshiron të përqendrohet te paraqitjet në fushë.
“Jam në një moment të lumtur. Gjithçka që dua të bëj dhe ajo që klubi dëshiron nga unë është të fokusohem në fushë, të shënoj gola dhe të ndihmoj ekipin. Jam i qetë”, deklaroi Kane.
Fjalët e tij japin një sinjal të qartë se Kane është i kënaqur në Mynih dhe rinovimi me Bayern duket gjithnjë e më pranë.





