Dy persona kanë rrezikuar të mbyten pasditen e së mërkurës në afërsi të ishujve të Ksamilit, pasi pedalonja me të cilën po lundronin pësoi një defekt dhe nisi të marrë ujë.
Sipas informacioneve paraprake, Salla Operative është njoftuar përmes një telefonate se një mjet lundrues tip pedalone ishte dëmtuar, po anonte dhe rrezikonte të fundosej.
Në mjet ndodheshin dy shtetas, 29 dhe 36 vjeç, të dy banues në Kukës. Për shkak të situatës së krijuar, u kërkua ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë Kufitare.
Menjëherë drejt zonës u nis mjeti lundrues BP-11 i Policisë Kufitare të Sarandës, së bashku me dy mjete jetski, për t’u ardhur në ndihmë dy të rinjve.
Falë reagimit të shpejtë të efektivëve, dy personat u nxorën në kohë nga pedalonia dhe u transportuan drejt bregut në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, mjeti lundrues u tërhoq drejt bregut me ndihmën e jetskive, duke shmangur fundosjen e tij. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.
/vizionplus.tv





