Një aksident i rëndë rrugor në shtetin e Maryland, në SHBA, i ka marrë jetën një 58-vjeçari, ndërsa shtatë të mitur kanë mbetur të plagosur. Sipas autoriteteve amerikane, në timonin e automjetit që shkaktoi përplasjen ndodhej një djalë vetëm 13 vjeç.
Policia e Qarkut Montgomery bëri të ditur se i mituri po drejtonte një automjet tip “Kia”, e cila ishte raportuar e vjedhur vetëm pak orë para ngjarjes nga një banesë në zonën e Germantown. Në automjet ndodheshin edhe gjashtë të mitur të tjerë, të moshës 12 deri në 15 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, makina e drejtuar nga 13-vjeçari po lëvizte në drejtim të veriut, kur hyri në një kryqëzim dhe u përplas me një Toyota Matrix që po udhëtonte në drejtim të lindjes.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i Toyota Matrix, 58-vjeçari William Vance Payne II, nga Virginia, humbi jetën në vendngjarje.
Forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje rreth orës 05:25 të mëngjesit, ku gjetën automjetin e vjedhur të përmbysur, me pasagjerët të bllokuar brenda.
13-vjeçari u dërgua në spital në gjendje kritike, por jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gjashtë të miturit e tjerë pësuan lëndime të ndryshme dhe po marrin trajtim mjekësor. Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
/vizionplus.tv





