Pas pak orësh, Këshilli Kombëtar do të mblidhet për të zgjedhur ekipin drejtues të Partisë Demokratike, nënkryetarët dhe sekretariatin.
Mësohet se në postet kyçe nuk do të ketë ndryshime. Flamur Noka do të jetë sekretar i përgjithshëm, ndërsa Gazment Bardhi do të jetë nënkryetar i PD-së. Bardhi nuk do të hidhet në votim, pasi e merr postin për shkak se është kryetar i Grupit Parlamentar. Ndërsa Noka do ketë përballë Saimir Koreshin, një garë e lehtë kjo për Nokën.
Për postet e tjera ka pasur gjatë orëve të fundit disa ndryshime.
Mësohet se Nikola Kedhi do të garojë për të qenë nënkryetar i PD-së.
Erisa Bajaziti, e cila jeton në Bruksel, gjithashtu do të jetë në garë për nënkryetare të PD-së.
Belind Këlliçi dhe Luciano Boçi do të garojnë përballë njëri-tjetrit për të qenë nënkryetarë të PD-së.
Ervin Minarolli mësohet se nuk do të jetë më sekretar organizativ dhe, në vend të tij, do të garojë Klevis Balliu, i cili fillimisht pritej të garonte për nënkryetar.
Për postin e sekretarit për të Drejtat e Njeriut do të garojë Franc Nuri.
Për postin që ka mbajtur Ivi Kaso, sekretar për Çështjet Zgjedhore, do të garojë Marash Logu.





