Si mund ta dallojë një konsumator një djathë cilësor nga një produkt që mund të përmbajë niseshte ose përbërës të tjerë zëvendësues? Kjo ishte tema e diskutimit në emisionin “Mes Drite” në Vizion Plus, ku i ftuar ishte dekani dhe eksperti i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj.
Eksperti sqaroi se prania e niseshtesë nuk mund të konfirmohet me siguri vetëm duke e parë produktin, por përmes testeve specifike laboratorike.
“Në fakt, një ekspert edhe mund të arrijë të konfirmojë që djathi ka shtesa të tilla si amidoni ose niseshteja, por janë testet ato që e verifikojnë me saktësi. Testet janë të thjeshta; përmes indikatorëve të ndryshimit të ngjyrës mund të konfirmohet prania e amidonit ose e niseshtesë“, u shpreh Sulaj.
Megjithatë, ai theksoi se përdorimi i niseshtesë në djathërat që tregtohen në Shqipëri është reduktuar ndjeshëm vitet e fundit.
“Përdorimi i shtesave ka qenë në masë në Shqipëri para disa viteve, por është reduktuar së tepërmi. Nuk besoj që sot entet prodhuese ose tregtare të kenë djathë me niseshte, sepse është e thjeshtë për t’u identifikuar”, tha ai.
Çfarë duhet të kontrollojë konsumatori?
Sipas ekspertit, elementi i parë që duhet parë është etiketa e produktit. Djathi cilësor duhet të ketë një përbërje sa më të thjeshtë, me qumësht, fermente bakteriale, maja dhe kripë.
Një tjetër tregues është aroma, e cila ndryshon sipas llojit të qumështit.
“Djathi i dhisë dhe i deles kanë aromën karakteristike të species, ndërsa djathi i lopës ka më pak erë. Sot gjejmë edhe djathëra me qumësht të përzier dhe kjo nuk është e ndaluar, por duhet të deklarohet në etiketë”, shpjegoi Sulaj.
A është çmimi tregues i cilësisë?
Eksperti këshillon që konsumatorët të jenë të kujdesshëm me produktet që shiten me çmime shumë të ulëta.
“Një djathë me çmim fare të ulët nuk mund të dalë në treg. Djathi mbetet produkt i shtrenjtë sepse raporti është 1 me 10; nga 10 litra qumësht lope fitohet 1 kilogram djathë.”
Megjithatë, ai nënvizoi se as një çmim i lartë nuk garanton domosdoshmërisht cilësinë.
“Çmimet i vendos tregu dhe konkurrenca. Një çmim i lartë mund të jetë edhe artificial për shkak të abuzimeve në treg, ndaj nuk është gjithnjë tregues i sigurt i cilësisë.”
Kujdes nga blerjet në rrugë
Sulaj u bëri thirrje qytetarëve të shmangin blerjen e djathit në kushte të papërshtatshme.
“Nuk do të sugjeroja kurrë blerjen në rrugë jashtë kushteve higjieno-sanitare dhe zinxhirit të ftohjes. Marketet ofrojnë kushte më të mira ruajtjeje. Gjithashtu, prodhimet artizanale që njihen për respektimin e standardeve janë një zgjedhje shumë e mirë.”
Ai shtoi se legjislacioni shqiptar dhe ai i Bashkimit Evropian nuk lejojnë shtimin e niseshtesë në djathë, ndërsa në rastet kur përdoren përbërës të tjerë, si vaji i palmës, ato duhet të deklarohen detyrimisht në etiketë.
Eksperti theksoi se zgjedhja e një produkti me përbërje të qartë, të ruajtur në kushte të përshtatshme dhe nga prodhues që respektojnë standardet mbetet mënyra më e mirë për të garantuar një konsum të sigurt dhe me vlera ushqyese.
/vizionplus.tv





