Disa zyrtarë të lartë të policisë janë vendosur nën lupën e Prokurorisë së Posaçme. SPAK ka nisur veprimet hetimore për dy shefa komisariatesh në Tiranë, pasi dyshohet se kanë kryer takime të paautorizuara me Roven Zekën, ish-shefi i Komisariatit rrugor i arrestuar për korrupsion.
Burime sqarojnë se Organi i Posaçëm i hetimit ka marrë deklarimet e të paktën 2 shefave të komisariateve, ndërsa është sekuestruar edhe një pajisje telefonike. Ndërkohë, edhe një biznesmen ka qenë subjekt i hetimit, dosje e cila është nën hetim nga prokurorja Elida Kaçkini.
Lexo edhe :
Related Posts
Organi hetues ka sekuestruar kamerat e sigurisë, si dhe ka pyetur personat përgjegjës në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza”, për të hedhur më tepër dritë mbi takimet me të paraburgosurin dhe qëllimin e tyre.
Shef i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka së bashku me Sokol Novakun, shef i hetimit të aksidenteve dhe oficerin e policisë rrugore Edison Tabaku, u arrestuan në kuadër të një hetimit të SPAK, pasi dyshohet se kanë marrë 2 mijë euro për manipulimin e provave për një aksident rrugor, të shkaktuar nga bashkëshortja e biznesmenit Erges Vrioni.
Sipas dosjes hetimore dhe përgjimeve, duke qenë se oficeri Tabaku e njihte biznesmenin Erges Vrioni, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin.
Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të rrugores Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, duke i thënë se “ka persona të tjerë mbi kokë”./vizionplus/tv







