Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka prezantuar planin e masave për garantimin e sigurisë në shkolla në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Në një konferencë për mediat, Hita deklaroi se Policia e Shtetit do të shtojë kontrollet brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së institucioneve arsimore, me fokus të veçantë parandalimin e përfshirjes së nxënësve në veprimtari kriminale dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Sipas tij, specialistët e sektorëve kundër Narkotikëve dhe strukturave Operacionale në të 12 drejtoritë vendore të Policisë do të zhvillojnë kontrolle me intensitet të lartë pranë shkollave.
“Kam kërkuar që këto masa të mos mbeten vetëm në planifikim, por të kontrollohen dhe të zbatohen në terren”, u shpreh Hita, duke theksuar se përgjegjësia për sigurinë do të jetë konkrete për drejtuesit vendorë të Policisë.
Në fokus do të jetë edhe siguria rrugore. Policia do të shtojë praninë pranë shkollave në oraret e hyrjes dhe daljes së nxënësve, si dhe gjatë pushimit të gjatë, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga aksidentet rrugore.
Në shkolla do të zhvillohen gjithashtu orë ndërgjegjësuese për bullizmin, dhunën psikologjike, rreziqet në hapësirën digjitale, përdorimin e drogës, duhanit dhe alkoolit. Në këto aktivitete do të angazhohen strukturat e Policimit në Komunitet, Dhunës në Familje, Krimeve Kibernetike dhe Policisë Rrugore.
Policia do të bashkëpunojë edhe me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për kontrollet në bizneset që operojnë pranë institucioneve arsimore. Kontrollet do të përfshijnë verifikimin e produkteve ushqimore, datat e skadencës dhe kushtet higjieno-sanitare.
Hita bëri të ditur gjithashtu se teknologjia do të ketë një rol më të madh në garantimin e sigurisë. Në kuadër të projektit “Smart City”, 20 shkolla janë pajisur me kamera inteligjente, të cilat synojnë të ndihmojnë në monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë.
“Teknologjia nuk zëvendëson punonjësin e Policisë. Ajo e bën më të shpejtë, më efikas dhe më të saktë punën e tij në terren”, deklaroi Hita.
Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit iu drejtua edhe nxënësve, duke u bërë thirrje të mos heshtin përballë rasteve të dhunës, bullizmit, kërcënimeve apo përpjekjeve për t’i përfshirë në veprimtari kriminale.
“Ky është angazhimi ynë, shkolla të sigurta, për të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Hita.





