Pas disa ditësh protestë, banorët e zonës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës kanë arritur marrëveshje me kompaninë “Bankers Petroleum” për pagesën e qirasë së tokave.
Kompania ka rënë dakord të zbatojë kërkesën e banorëve për një pagesë prej 4 milionë lekësh për një dynym tokë në vit, sipas kushteve të kontratës, deri në vitin 2029.
Pas dakordësimit, banorët kanë vendosur të ndërpresin protestën, e cila vijoi për disa ditë përballë vendburimeve të naftës që shfrytëzohen nga kompania.
Protesta nisi pasi banorët kundërshtuan uljen e vlerës së qirasë së tokës nga 4 milionë në 2 milionë lekë për dynym dhe kërkuan që kompania të respektonte detyrimet kontraktuale.
Një ditë më parë, protesta u zhvendos përballë vendburimeve të “Bankers Petroleum”, ndërsa situata u tensionua pasi banorët hapën me forcë një derë për të vijuar protestën brenda zonës.
Pas marrëveshjes së arritur me kompaninë, banorët kanë deklaruar se e ndërpresin protestën.





