Festat e 28-29 nëntorit për shumë qytetarë në Shqipëri, nuk janë vetëm një periudhë festive. Ato janë shndërruar edhe në një mundësi për të udhëtuar, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. 2 ditë pushimi për administratën publike së bashku me fundjavën pushim ka bërë që shumë individ të shtegtojnë.
“Shqiptarët e Shqipërisë shfrytëzojnë festat që kanë 4 ditë pushim për të vizituar një destinacion të ri ndërsa shqiptarët e Kosovës apo të diasporës vijnë me pushime në Shqipëri duke bërë një rrugë e dy punë”, shprehet Rrahman Kasa, kreu i unionit turistik në Shqipëri.
Nga ana tjetër të shumtë ishin shqiptarët e Kosovës ose të diasporës që erdhën në Shqipëri për festuar dhe për të pushuar përgjatë kësaj periudhe.
“Do qëndroj disa ditë në Shqipëri pastaj do iki sërish për të festuar Krishlindjet nga kam ardhur.”
“Kemi ardhur për 2 ditë, kemi ardhur nga Brezovica për festën e flamurit.”
“Është kënaqësi për ne shqiptarët e Maqedonisë për të ardhur këtu dhe të festojmë dirtën e flamurit”.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, nëntori është një nga muajt me numrin më të lartë të daljeve të shqiptarëve jashtë vendit. Herën e fundit janë regjistruar rreth 632 mijë dalje nga territori shqiptar.
“Ka patur shumë kërkesa në fakt përgjatë këtyre ditëve të festave ku kanë qënë kryesisht për guida jashtë vendit. Ndër destinacionet kryesore mund të përmend Selanikun, Stambollin por edhe në qytetet italiane pasi dhe biletat në këtë periudhë të vitit janë shumë të lira”, shprehet operatorja turistike Kristina Gjinaj.
Gjithnjë e më shumë shqiptarë po shfrytëzojnë ditet e pushimeve dhe çmimet e ulëta të biletave që ofrojnë kompanitë ajrore në Aeroportin e Rinasit, për t’u shkëputur për disa ditë nga përditshmëria.





