Subscribe

Shqipëria është sot vetëm një pikë larg kualifikimit për herë të dytë në histori në kampionatin europian të futbollit.

 

Një pikë e cila duhet marrë ndaj një kundërshtari si Moldavia që është ende plotësisht në lojë për kualifikim. Mirëpo pavarësisht se barazimi na dërgon në Gjermani, kuqezinjtë besojnë se llogaritë për të marrë një pikë në Kishinjev, nuk do të ishin qasja e duhur përballë një kundërshtari të etur për tre pikë.

 

Trajneri Sylvinho pret që sidomos në aspektin fizik ndeshja të jetë shumë impenjative.

 

SYLVINHO

TRAJNERI I KOMBËTARES

 

Nuk mund të menaxhohet ndeshja në këtë mënyrë duke menduar që na duhet një pikë dhe shkojmë për barazim. Përkundrazi, si ne, po edhe Moldavia do të shkojmë për të marrë tre pikët në këtë sfidë jo për barazim. Sigurisht është një finale për ne dhe karikimi i skuadrës është i duhuri. Moldavia është një ekip shumë i fortë në shtëpi, ka mundur Poloninë, ka barazuar me Çekinë , kështu që do të jetë një ndeshje e vështirë. Janë një,ekip i mirëorganizuar, kanë lojtarë që në aspektin individual janë shumë cilësorë, një skuadër shumë fizike dhe sidomos në fushën e vet janë shumë të vështirë.

 

Ndërsa lideri i mbrojtjes dhe kapiteni Berat Gjimshiti tha se kuqezinjtë duan vetëm tre pikët kundër Moldavisë, pasi çdo llogari tjetër do të ishte e rrezikshme për paraqitjen e skuadrës.

 

BERAT GJIMSHITI

KAPITEN I KOMBËTARES

 

Unë, por as ekipi, nuk do të hyjmë në fushë për barazim. Asnjë ekip nuk futet në fushë për një pikë. Në natyrë e kemi që të futemi në fushë për tre pikë, kështu do jetë edhe nesër. Nëse nuk futesh me atë mentalitet ke shumë mundësi të gabosh akoma më shumë.

 

Sa i takon titullarëve, Sylvinho është besnik i formacionit fitues ndaj sot ndaj Moldavisë, kuqezinjtë do të luajnë me Berishën në portë, Hysaj, Ismajlin, Gjimshitin dhe Mitajn në mbrojtje. Në mesfushë përpara tyre Ramadani dhe Asllani, ndërsa treshja që mbështet sulmuesin Cikalleshi përbëhet nga Seferi, Bajrami dhe Asani. Sfida në stadiumin “Zimbru” të Kishinjevit luhet në 18:00 dhe gjykohet nga skocezi Ulliam Kollum.

 

Qindra shqiptarë do të mbështesin përfaqësuesen nga afër në stadium në një duel që mund të jetë vendimtar, ndonëse kuqezinjtë kanë në dispozicion edhe ndeshjen e datës 20 nëntor ndaj Ishujve Faroe në Tiranë për tu kualifikuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *