Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur këtë të martë në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj për politikën, turizmin, por edhe për të ardhmen e tij politike.
I pyetur nga moderatorja Pranvera Borakaj nëse do të jetë ai kandidat për të qenë numri një i Tiranës në zgjedhjet e ardhshme, Gonxhja tha se nuk mund të flasë për probabilitete.
Ai u shpreh se kushdo qoftë ai që do të zgjedhë PS-ja në vjeshtë për ta përfaqësuar në garë, do të mbështetet nga të gjithë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Mendoni të kandidoni për Bashkinë e Tiranës?
Gonxhja: Duhet të respektojmë kohën që jetojmë. Prioritetet e qeverisë janë absolute. Asgjë nuk duhet ta tejkalojë misionin që ka ekipi ndaj përgjegjësive. Nuk mund të flas për probabilitete. Ata 25 mijë veta, që janë një dridhje gjunjësh kur e mendon, presin zgjidhje të problematikave nga deputeti që kanë zgjedhur. Ata janë të shpërndarë në pesë bashki. Unë duhet të mendoj për pesë bashki. Nuk diskutohet që në vjeshtë, ai që do të jetë qëndrimi politik i PS-së, ku kontribuoj edhe unë, kur të kuptojmë cilat do të jenë zgjedhjet për Tiranën, do të punojmë të gjithë për atë që PS-ja do të vendosë, sepse ajo është kauza e PS-së dhe kauza e atyre që kanë bërë të mundur të jemi këtu ku jemi.





