Ujqërit sulmon bagëtitë në Kuçovë, ngordhin 12 krerë, fermerja mes lotësh: Kërkoj ndihmë nga Bashkia

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Tapi, në Bashkinë Kuçovë, ku një tufë ujqërish ka sulmuar bagëtitë e një fermeri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Fermeri Baftjar Pire kishte nxjerrë si çdo mëngjes tufën e bagëtive për kullotje në tokat e tij, por këtë herë është përballur me një sulm të papritur nga ujqërit. Si pasojë, 12 dele kanë ngordhur, ndërsa disa të tjera kanë mbetur të plagosura.
Fermeri tregon se sulmi ka ndodhur rreth orës 06:30 dhe se është rrezikuar edhe vetë nga kafshët e egra.
“Ka qenë ora 6 e gjysmë. Ishte një ujk. 12 kokë bagëti. Fati im që shpëtova, mu hakërrua edhe mua. Nuk më ka ndodhur kurrë kjo. Më bëri qeder të madh. Shteti, bashkia të na ndihmojnë”, rrëfen Baftjar Pire.
Në gjendje të vështirë ekonomike dhe mes lotësh, bashkëshortja e fermerit kërkon ndihmë nga institucionet, pasi bagëtitë ishin burimi kryesor i të ardhurave për familjen.
“Jam në hall. Me çfarë do të ushqehemi ne? Burrin e kam të sëmurë, vetë po ashtu. Ku do të mbështetemi? Kërkoj ndihmë nga Bashkia Kuçovë”, shprehet ajo mes lotësh, duke shtuar se ujqërit kanë qenë të shumtë.
Familja Pire apelon për ndihmë nga Bashkia Kuçovë dhe institucionet përgjegjëse, për të përballuar dëmet e shkaktuara nga sulmi, i cili i ka lënë pa një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tyre.
/vizionplus.tv




