Dyshohet se ngacmoi seksualisht një 17-vjeçare, procedohet mësuesi në Korçë

Një nxënëse e një shkolle të mesme në qytetin e Korçës ka denoncuar mbrëmjen e djeshme një mësues të shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, duke pretenduar se është ngacmuar seksualisht prej tij.
Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth një muaj më parë, kur 17-vjeçarja ishte pjesë e stërvitjes së volejbollit në palestrën e shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi”, ku mësuesi jep mësim.
Në denoncimin e bërë në komisariat, 17-vjeçarja ka deklaruar, në prani të babait të saj dhe psikologes, se mësuesi me inicialet E.C. ka kryer veprime me natyrë seksuale ndaj saj, duke e prekur në pjesë intime gjatë orës së stërvitjes.
Policia ka marrë pamjet filmike nga kamerat e sigurisë brenda palestrës, ndërsa pritet të kryhet edhe këqyrja e DVR-së, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Mësuesi është shoqëruar në komisariat, ku ka dhënë dëshminë e tij, duke mohuar akuzat.
Në përfundim të veprimeve paraprake hetimore, ai është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rastin.




