E martë, 17 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Ekonomi

18 mld lekë për bujqësinë, ja si do të shpërndahen fondet për vitin 2027

Buxheti i parashikuar për bujqësinë në vitin 2027 do të jetë 18 miliardë lekë, me një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2026.  Këtë gjë e bëri të ditur zv.ministri i Bujqësisë, Arian Jaupllari, i cili në një intervistë për emisionin “7pa5” në Vizion Plus tha se fondet do të përqendrohen kryesisht te zhvillimi rural, ujitja dhe kullimi, si dhe siguria ushqimore.

“Buxheti i vitit 2027 shkon në 18 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2026. Tre zërat kryesorë përbëjnë 87% të buxhetit total: Zhvillimi rural: 8.4 miliardë lekë; Ujitja dhe kullimi: 4.3 miliardë lekë (me një rritje prej 19.3%); Siguria ushqimore: 3 miliardë lekë; Peshkimi: 727 milionë lekë (rritje prej 20.5%); Këshillimi bujqësor: 872 milionë lekë; Administrata: 663 milionë lekë”, tha Jaupllari.

Zv.ministri u shpreh se fermerët do të vijojnë të përfitojnë nga skemat e mbështetjes direkte, si për sipërfaqen e tokës së mbjellë, ashtu edhe për krerët e kafshëve.

Mbështetje do të ketë gjithashtu për nxitjen e të rinjve në bujqësi, investimet në infrastrukturën blegtorale, mekanikën bujqësore, pajisjen me tanke ftohëse të qumështit, çisterna për vajin e ullirit dhe certifikimin e produkteve sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Reklamë

Sa i përket kostove të larta të prodhimit, zv.ministri përmendi disa masa që synojnë lehtësimin e barrës financiare për fermerët, përfshirë uljen e çmimit të karburantit me 32 lekë për litër, TVSH-në 6% për produktet e shportës dhe rimbursimin e TVSH-së në masën 10% të vlerës së faturës për prodhimet e shitura nga fermerët.

Ndërkohë, investimet në ujitje dhe kullim do të përfshijnë 74 objekte investimi, 1,300 hektarë sipërfaqe të reja ujitëse, 60 hektarë kullim dhe 300 kilometra kanale kryesore.

Një tjetër prioritet mbetet siguria ushqimore dhe përgatitja e operatorëve shqiptarë për tregun europian. Sipas Jaupllarit, po punohet për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa financimet do të shkojnë për laboratorë modernë, pika inspektimi kufitar dhe trajnimin e burimeve njerëzore, me mbështetjen e Bankës Botërore.

Operatorët e përpunimit të ushqimit, në sektorët e vezëve, peshkut, mishit dhe qumështit, po klasifikohen në katër kategori, me synimin për të arritur standardet europiane.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.