Subscribe

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi u ka bërë apel banorëve të Unazës së Re që të mos përdoren si mish për top.

 

Nga Libofsha e Fierit, kreu i kuvendit Gramoz Ruçi, duke u ndalur tek protesta e banorëve, deklaroi se banesat nuk mund të legalizohen aty ku nuk e lejon ligji.

 

Sipas Ruçit, gabimet e bëra nga politka e cila kur është në pushtet flet sipas ligjit dhe kur është në opozitë ndryshe, po i paguan gjithë shoqëria.

 

“Kam ndjekur me shqetësim demostrimin te sheshi Shqiponja të disa qytetarëve që lidhet me shpronësimet apo me mos legalizimet për arsye të një vepre kombëtare. Unë e ndjej fort se çdo të thotë të prishet shtëpia, me apo pa leje, sepse jam një si ata. Jam fshatar që edhe unë gjatë viteve të gjata të jetës kam bërë shtëpi me duart e mia, dhe kimetin e shtëpisë ia di, jo ai që ka lekë dhe e bën, por ai që ka pak lekë dhe vetë e bën, dhe kjo është e dhimbshme. Por do t’u thosha: miqtë e mi gabimi që bëj unë dhe ti si kryefamiljarë, e paguajnë fëmijët, ndërsa gabimet që bën politika, e paguan gjithë shoqëria. Dhe ata sot fatkeqësisht po paguajnë gabimet e politikës, të djeshme dhe të sotme. Të cilët ndryshe flasin sipas ligjit kur janë në pushtet dhe ndryshe kur janë në opozitë”

 

Ruçi tha se të legalizuarit do të marrin dëmshpërblim me VKM dhe më pas do të nisë prishja e banesave.

 

“Të mos përdoren si mish për top. Një vajzë dje humbi gishtat. Pse? Se i interesonte politikës. Ndaj u bëj thirrje të ulemi, të diskutojmë, të njohim ligjin. Aty janë interesat e qytetarëve. Nëse dikush gjykon se zgjidhja s’është e drejtë, ka gjykata. Kështu funksionon shteti. E kam ndjerë nga afër këtë çështje, kërkon urtësi, qetësi dhe maturi për ta zgjidhur problemin”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *