Kryeministri Edi Rama ka folur për rininë e tij gjatë podcastit “Flasim”, ku ka komentuar edhe akuzat dhe deklaratat e kundërshtarëve politikë, të cilët shpesh e konsiderojnë të bullizuar.
Rama theksoi se nuk ka qenë kurrë i bullizuar.
“Nëse do të kthehesha në atë kohë për të gjetur një tipar që mund të paralajmëronte natyrën e liderit që unë u bëra më pas, mund të them që ishte tipari i mospranimit të kufijve. Unë, që fare i vogël, nuk i pranoja kufijtë si imponim apo si fat. Përpiqesha gjithmonë t’i shkelja, t’i shtyja… Gjithmonë të bëja diçka që kufiri thoshte: ‘Mos e bëj’. Dhe refuzimi i kufijve, shtyrja e kufijve, më ka motivuar gjithë jetën time, qoftë në mënyrën e të jetuarit, qoftë në Akademinë e Arteve. Jam përpjekur qysh në krye të herës, që para se të fillonte lëvizja në Akademi, që pastaj përcaktoi një drejtim për atë që u kthye në një lëvizje më të gjerë, me programet, me rregullat që duheshin respektuar”, tha Rama.
Më tej, numri një i qeverisë rrëfeu edhe dy episode dhune ndaj tij, ku në një rast dhunuesit e pandehën të vdekur.
“Kam në jetën time dy rrahje, ku nuk kam rrahur, por më kanë rrahur. Njëra në dyshen e Pallatit të Sportit ‘Partizani’, pas ndeshjes me Apoloninë. Ishte një ndeshje e tensionuar dhe, duke qenë se unë si lojtar isha nganjëherë edhe provokator, provokimet dhe kundërprovokimet dhe tensionin në fushë e pagova me një rrethim nga ca çuna që, me shpejtësi, pabesisht, mora disa goditje dhe mbeta përtokë në dysheme. Tjetra është rrahja që dihet botërisht e janarit 97 kur më bënë pritë te rruga që futej për të hyrja e shtëpisë dhe më lanë duke menduar se isha i asaj bote. Ky ishte dhe opinioni i mjekut këtu dhe atij në Francë, dhe thënë që më kishte shpëtuar lartësia, sepse goditjet gjithsesi janë disi më pak efektive kur je më lart sesa ai që të agreson. Edhe sporti, fiziku im”, tha Rama.





