Ushtria izraelite (IDF) njoftoi se ka shkatërruar një kompleks të madh nëntokësor të Hezbollahut në jug të Libanit, duke përdorur më shumë se 1 mijë tonë eksplozivë.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, kompleksi ndodhej nën kreshtën Ali Taher dhe përfshinte dy tunele me gjatësi totale mbi 2 kilometra. Në të ndodheshin një qendër komandimi e njësisë Badr të Hezbollahut, raketa, mjete ajrore pa pilot, armë antitank, mina dhe eksplozivë.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shkaktoi aktivitet sizmik të barasvlershëm me një tërmet me magnitudë 4.1. Lëkundjet u ndjenë edhe në Saida, rreth 40 kilometra larg.
Banorët e zonës përshkruan momentin e shpërthimit si tronditës, duke thënë se shtëpitë u drodhën dhe shumë njerëz u larguan drejt Bejrutit.
IDF deklaroi se shkatërrimi i kompleksit përfundon një operacion për eliminimin e tetë tuneleve dhe krijimin e një “zone sigurie” pranë kufirit me Izraelin.
Ndërkohë, mediat libaneze raportojnë për sulme të reja izraelite në disa zona të jugut të Libanit. Nuk ka pasur ende një reagim publik nga Hezbollahu apo qeveria libaneze për operacionin.
Sipas të dhënave të Ministrisë libaneze të Shëndetësisë, 4 mijë e 362 persona janë vrarë në Liban gjatë konfliktit, ndërsa autoritetet izraelite raportojnë 40 ushtarë dhe katër civilë izraelitë të vrarë.





