Liderë të Ballkanit Perëndimor, zyrtarë të Bashkimit Europian dhe investitorë të huaj u mblodhën në Tiranë në Samitin e Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor.
Fjala hapëse e këtij takimi të nivelit të lartë u mbajt nga Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministri Edi Rama, i cili kishte dhe një mesazh për vendet e Unionit, që sipas tij duhet të ndryshojnë qasjen për rajonin.
“Po përvijohet një hartë e re, jo në letër, por në hapin tonë të të ardhurit bashkë dhe më afër BE. Fluksi i turistëve dhe investimet europiane janë zgjim i një ideje të thjeshtë, por të fuqishme, që Ballkani Perëndimor nuk është oborr i pasmë i Evropës dhe as lagjja e tij e dorës së dytë, por një horizont i ri. Një horizont që Evropa mund të rizbulojë shkathtësinë, oreksin e saj dhe dashurinë për jetën dhe paqen”, tha Rama.
Sa i përket investimeve të Unionit, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Ballkani Perëndimor është vendi ideal për të ndërtuar të ardhmen.
“Nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar që Ballkani Perëndimor mund të bëhet laboratori i Europës, për të testuar dhe për të provuar të ardhmen. Le të themi troç: Europa nuk e ka luksin që të varet nga ajo që nuk e kontrollon. Duhet ta kthejmë potencialin në qëllim dhe ta kthejmë këtë rajon në zonën e transformimit të Evropës.”
Për Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, investimet në rajon duhet të shihen me përparësi.
“Mos e lini t’ju humbasë kjo mundësi, koha për të investuar në Ballkanin Perëndimor është tani. Dhe më vjen mirë të shoh kaq shumë prej jush të gatshëm të përfitoni mundësinë e biznesit që krijohet nga integrimi i afërt”, Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Europian lajmëroi se BE do të ndërtojë në dy vende të Ballkanit fabrika të inteligjencës artificiale.
“Nëse zgjidhni Ballkanin Perëndimor, zgjidhni Evropën. Ne do të hapim fabrikat tona në AI në Ballkanin Perëndimor. Do të nisim me ngritjen e dy fabrikave në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi e do ta zgjerojmë në të gjithë rajonin.”
Në këtë takim të nivelit të lartë marrin pjesë investitorë nga vende të ndryshme, si dhe CEO i Concord Investment, Artan Dulaku.
/vizionplus.tv




