Partia socialiste në Dibër, Tiranë dhe Elbasan ka hedhur akuza ndaj LSI-së për shkelje të ligjit dhe thirrjeve destabilizuese për procesin zgjedhor.  Në një deklaratë për mediat, PS u kërkon qytetarëve shqiptarë që të votojnë dhe të ruajnë qetësinë.

 

Deklaratë e Partisë Socialiste Dibër:

 

“Partia Socialiste Dibër shpreh keqardhjen për cakërdisjen e Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, që po shkel ligjin dhe po bën thirrje destabilizuese për procesin zgjedhor. Ilir Meta ka angazhuar një rrjet njerëzish me precedentë penale, për të provokuar e penguar votuesit që nuk duan LSI, në qarkun e Dibrës, sidomos në Burrel e Bulqizë. LSI është kthyer në shembelltyrën e dëshpërimit kanosës për procesin, por PS Dibër u bën thirrje të gjithë votuesve të qarkut të mos shqetësohen nga kjo ofensive e turpshme e humbësve. Cilido zgjedhës me të drejtë vote, të marrin pjesë masivisht në votim dhe t’i konsiderojë kërcënimet presidenciale, një shenjë të qartë të humbjes që e pret partinë e Ilir Metës. Ruani qetësinë. Beni detyrën patriotike ndaj Dibrës, Matit, Bulqizës, Klosit, vetë Shqipërisë, me votën tuaj. Presidenti i zgjedhur, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t’ia prishë dot këtë festë demokratike Dibrës dhe mbarë Shqipërisë. Sa më shumë njerëz ne votime sot, aq më të bukura për Dibrën, Tiranen dhe Shqipërinë katër vitet që vijnë.”

Deklaratë e Partisë Socialiste Elbasan:

 

“Partia Socialiste Elbasan shpreh keqardhjen për sjelljen skandaloze të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, po edhe të bashkëshortes së tij që në qarkun e Elbasanit po bën të njëjtën gjë si i shoqi ne gjithë Shqipërinë. Monika ka angazhuar një rrjet njerëzish me precedente penale, për të provokuar e penguar votuesit e tjerë. LSI Elbasan është kthyer në një subjekt antiqytetar njerëzish qe vetëm shajnë e fyejnë rrugëve kë të munden! PS Elbasan u bën thirrje të gjithë votuesve të qarkut të mos shqetësohen fare nga kjo çorodi humbësesh qe s’dinë me se s’bëjnë. Cilido zgjedhës me të drejtë vote, të marrë pjesë masivisht në votim dhe t’i konsiderojë këto shfaqje tragjikomike të degradimit të LSI, një simptomë të qartë të rendimit psikologjik të Ilir Metës e të bashkëshortes së tij. Ruani qetësinë. Bëni detyrën patriotike ndaj Elbasanit, Cërrikut, Belshit, Peqinit, Librazhdit e Gramshit me voten tuaj. Çifti presidencial, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t’ia prishë dot këtë festë demokratike të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Sa më shumë njerëz në votime sot, aq me të bukura për qarkun tonë dhe mbarë Shqipërinë, katër vitet që vijnë.”

Deklaratë e Partisë Socialiste Tiranë:

 

“Partia Socialiste Tirane shpreh keqardhjen për tensionimin që Presidentit i zgjedhur Ilir Meta, ka nxitur e po nxit ne Vore nga dje dhe sot në vazhdim. Ilir Meta ka angazhuar një rrjet njerëzish me precedentë penale, për të provokuar e penguar votuesit e zonës. Janë të njëjtët që e kthyen Vorën në një vendgrumbullim mercenaresh ordinere të Ilir Metës në zgjedhjet e kaluara vendore. Partia Socialiste Tirane u bën thirrje të gjithë qytetareve të Vorës me të drejtë vote, të marrin pjesë masivisht në votim dhe të mbajnë mirë parasysh sot shprehjen e urtë të popullit, “Qeni që leh nuk të ha!”. Mos bini pre e provokimeve që organizon i  dëshpëruari Ilir Meta dhe konsiderojini kërcënimet e tij, shenja të çekuilibrimit të një politikani që nuk po kupton dot se si do jetojë pa pushtet. Ruani qetësinë. Bëni detyrën patriotike ndaj Vorës dhe Shqipërisë, me votën tuaj. Dëshpërimi i partisë së Presidentit të zgjedhur, nuk mund, nuk duhet dhe nuk do t’ia prishe dot këtë festë demokratike Shqipërisë. Sa më shume njerëz në votime sot, aq me te bukura për Vorën, Tiranën dhe Shqipërinë katër vitet që vijnë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *