Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se partia e saj. Lëvisja vetëvendosje, pritet të zhvillojë së shpejti një takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës me synimin për të gjetur një emër që mund të marrë mbështetje për postin e presidentit.
Deklarata e Haxhiut erdhi pas një takimi konsultues që ajo kishte thirrur me partitë parlamentare, në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga ngërçi institucional dhe për të shmangur zgjedhjet e reja. Megjithatë, në këtë takim munguan tri prej partive kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, të cilat e refuzuan ftesën.
LDK-ja ka deklaruar se nuk është e interesuar për një marrëveshje politike që do të sillte ndarjen e pushtetit në qeveri, por është e gatshme të diskutojë për një figurë që mund të konsiderohet konsensuale për postin e presidentit.
Kjo çështje është kthyer në nyjen kryesore të krizës. Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 53 mandate, këmbëngul se Kuvendi nuk duhet të konstituohet pa u arritur më parë një marrëveshje për presidentin. Në krahun tjetër, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e akuzojnë partinë fituese për zvarritje të procesit dhe shkelje të Kushtetutës, duke argumentuar se më parë duhet konstituuar Kuvendi.
“Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci që një palë zgjedhje të reja të na bëjnë të merremi vesh nesër”.
Në këtë situatë, zgjedhja e presidentit nuk është thjesht një çështje politike, por lidhet drejtpërdrejt edhe me fatin e Kuvendit. Sipas kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit. Në rundin e tretë nevojitet një shumicë më e ulët, por nëse edhe atëherë presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.





