Rusia ka akuzuar Britaninë e Madhe se po zgjedh “qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”, pasi u konfirmua se dronë të prodhuar në Britani janë përdorur në sulmet e fundit ndaj objektivave ushtarake dhe industriale në territorin rus.
Në një deklaratë, Ambasada Ruse në Londër paralajmëroi se veprimet e Britanisë “në mënyrë të pashmangshme do të kenë pasoja, për të cilat do të duhet të përgjigjet”.
“Sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë”, thuhet në deklaratë, pa u dhënë detaje se çfarë lloj masash apo kërcënimesh mund të ndërmarrë Moska.
Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë në thellësi të territorit rus, përfshirë Moskën dhe zona të tjera, duke synuar veçanërisht rafineritë e naftës dhe qendrat logjistike.
Nga ana e saj, Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se Londra qëndron “krah për krah” me Ukrainën.
Britania është ndër mbështetësit kryesorë ndërkombëtarë të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë, në shkurt të vitit 2022. Londra i ka ofruar Kievit pajisje ushtarake, përfshirë teknologji për dronë dhe raketa Storm Shadow.
Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, qindra dronë ukrainas janë lëshuar drejt rajonit të Moskës. Guvernatori rajonal Andrey Vorobyov bëri me dije të martën se një vajzë 10-vjeçare u plagos dhe një magazinë e kompanisë së shitjeve online Wildberries u dëmtua.
Ndërkohë, sulmet ruse në Ukrainë kanë shkaktuar të paktën 17 viktima, mes tyre 10 persona në një fshat në verilindje të vendit.
Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas.
Moska e ka akuzuar edhe më herët Britaninë për përfshirje në sulmet me dronë në territorin rus. Në vitin 2024, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se dronë me komponentë dhe konfigurime britanike ishin përdorur për të goditur objektiva në Rusi, përfshirë një depo karburanti në rajonin e Rostovit.





