Presidenti amerikan Donald Trump u përplas ashpër të hënën me gazetaren e CNN, Kristen Holmes, gjatë një prononcimi në Shtëpinë e Bardhë, pasi ajo e pyeti nëse kishte komunikuar me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Holmes e pyeti Trump nëse Kim i kishte kërkuar të kufizonte stërvitjet e përbashkëta ushtarake të SHBA-së me Korenë e Jugut. Presidenti e ndërpreu gazetaren dhe i tha: “Hesht!”, duke e akuzuar më pas se ishte “reportere e rreme” dhe se raportonte “lajme të rreme”.
Gazetarja tentoi të rikthehej te pyetja, duke sqaruar se donte të dinte nëse kishte folur me Kim Jong-un dhe nëse lideri koreano-verior i kishte kërkuar reduktimin e stërvitjeve ushtarake. Trump vazhdoi ta ndërpresë dhe i tha disa herë: “Hesht! Hesht! Hesht!”.
Përplasja erdhi një ditë pasi Trump kishte deklaruar në rrjetet sociale se, bazuar në marrëdhënien e tij “shumë të mirë” me Kim Jong-un, nuk ishte i kënaqur me stërvitjet e përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut. Ai tha se do t’i kërkonte sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, t’i reduktonte ndjeshëm ato.
Por tensionet mes Holmes dhe Shtëpisë së Bardhë nuk u kufizuan vetëm te pyetjet për Korenë e Veriut. Gjatë të njëjtit aktivitet, gazetarja e pyeti Trump edhe për një deklaratë të senatorit demokrat të Georgias, Jon Ossoff, i cili kishte kritikuar presidentin dhe një prej bashkëpunëtoreve të tij, Natalie Harp.
Pas përplasjes, llogaria “Rapid Response 47” e Shtëpisë së Bardhë në X publikoi një sulm të ashpër ndaj Holmes, duke e cilësuar si një turp për profesionin e saj dhe duke kritikuar pyetjet që ajo i bëri presidentit gjatë aktivitetit. Në një tjetër reagim, ekipi i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë e akuzoi gazetaren për sjellje “të pandjeshme dhe hakmarrëse”.
CNN reagoi duke mbrojtur gazetaren dhe duke dënuar sulmet personale ndaj saj. Rrjeti deklaroi se Holmes është një nga gazetaret më të respektuara që mbulon Shtëpinë e Bardhë dhe se ajo thjesht po kryente detyrën e saj duke i bërë presidentit një pyetje të rëndësishme në emër të publikut amerikan. CNN theksoi se zyrtarët mund të kundërshtojnë raportimet, por sulmet personale ndaj gazetarëve për pyetjet që bëjnë janë të papranueshme dhe të papajtueshme me parimet e shtypit të lirë.
/vizionplus.tv





