Protestuesit në Francë me “dorë të rëndë”, vjedhin dyqanet “Rolex” dhe “Louis Vuitton”

Protestat në Francë kundër rritjes së kostos së jetesës janë përshkallëzuar në dhunë dhe grabitje në disa qytete të vendit.
Në Marsejë, protestuesit plaçkitën dyqanet luksoze “Rolex” dhe “Louis Vuitton”, duke u larguar me mallra të vjedhura. Në demonstrata janë bashkuar protestuesit e “Jelekëve të Verdhë”, nxënës të shkollave të mesme dhe fermerë, ndërsa përplasjet me policinë dhe aktet e vandalizmit kanë çuar në arrestimin e të paktën 272 personave në të gjithë Francën.
VIDEO- Protestuesit në Francë vjedhin dyqanet “Rolex” dhe “Louis Vuitton”
Në Paris, persona të paidentifikuar thyen vitrinat e një dyqani “Intersport” dhe u larguan me çanta me mallra. Ndërkohë, në Bulevardin e famshëm Champs-Élysées, më shumë se 300 persona tentuan të përparonin drejt zonës, por u shpërndanë nga policia me gaz lotsjellës. Edhe dyqani i markës “Céline”, në Avenue Montaigne, u plaçkit, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan grabitjen e një butiku “Christian Dior” në Rue Saint-Honoré.
Situata ishte e rëndë edhe në Bordo, ku rruga tregtare Rue Sainte-Catherine u përfshi nga dëme të shumta. Një dyqan “Decathlon” u plaçkit dhe më pas u përfshi nga flakët, të cilat u përhapën në fasadën e ndërtesës. Në shënjestër të grabitjeve u vunë gjithashtu një dyqan “Apple”, “Galeries Lafayette” dhe një tjetër “Intersport”. Sipas përfaqësuesve të “Galeries Lafayette”, incidente u regjistruan edhe në disa qytete të tjera, përfshirë Parisin, Nantën, Renën dhe Toursin.
Alexandre Bompard, drejtues i Carrefour dhe president i Federatës së Tregtisë dhe Shitjes me Pakicë në Francë, dënoi ashpër dhunën dhe shkatërrimin e bizneseve. Edhe rrjeti “Galeries Lafayette” deklaroi se dëmet materiale dhe humbjet ekonomike do të jenë të konsiderueshme, ndërsa shumica e dyqaneve u mbyllën më herët për arsye sigurie.
/vizionplus.tv




