Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës edhe ditën e sotme kanë qëndruar para objektit të Qeverisë për të kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Këtij tubimi sot iu bashkua edhe Rinia Demokratike e Kosovës.
Deputetët e PDK-së prej disa ditësh po qëndrojnë në hyrje të qeverisë, për ta ndaluar hyrjen e Kurtit me arsyetimin se është kryeministër ilegal.
Aty deputetja Vlora Çitaku tentoi të hyjë brenda ndërtesës së Qeverisë, por nuk u lejua nga sigurimi i objektit.
Përfaqësuesi i të rinjëve të PDK-së, Resul Suma tha se kjo bllokadë shtetërore ka pasoja reale në jetën dhe të ardhmen e të rinjve.
Ai u shpreh se çdo ditë e institucioneve të bllokuara është një arsye më shumë që një i ri të humbë besimin në shtetin e Kosovës.
“Ne jemi brezi që duhet ta ndërtojë jetën në Kosovë, të punojë këtu, të krijojë familje dhe ta zhvillojë këtë vend. Çdo ditë e institucioneve të bllokuara është edhe një arsye më shumë që një i ri ta humbë besimin dhe ta shohë largimin nga Kosova si të vetmen perspektivë. Dhe këtu na lind një pyetje shumë e rëndësishme. Nëse vetë kryeministri nuk e respekton shtetin dhe institucionet e tij, si mund t’i kërkohet një të riu që ta respektojë këtë shtet, ta dojë atë dhe të punojë për të? Si mund t’i kërkohet një polici apo një ushtari që nesër ta rrezikojë jetën për republikën nëse vetë institucionet e republikës përçmohen dhe nënshtrohen ndaj interesit të një individi apo partie?”, tha Suma.
Më tej, ai iu drejtua kryeministrit në detyrë të ndalojë bllokadën dhe t’i hapë rrugë funksionimit të institucioneve.
“Albin Kurti, ndaleni bllokadën. Ejani në kuvend, konstituojeni atë dhe hapini rrugë funksionimit të institucioneve. Mos ua merrni të rinjve edhe shpresën e fundit se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në Kosovë”, shtoi ai.





