Autori i ngjarjes tragjike në Roskovec, Refit Buzi ka vrarë veten, duke mos pranuar dorëzimin në polici.
Pavarësisht përpjekjeve të efektivëve për ta bindur që të dorëzohej, 35-vjeçari ka qëlluar veten brenda në makinë. Ekipet mjekësore dhe autoambulanca ndërhynë menjëherë në vendngjarje, por autori nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Lexo edhe :
Related Posts
Buzi dyshohet se ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Kosta Plakën, 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën, Belere Plakën, rreth 55 vjeçe.
Sipas informacioneve të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00, ndërsa pas krimit autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij.
“Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:
Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”, njofton policia.
/vizionplus.tv






