Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 25 vatra zjarri, 9 prej të cilave vijojnë të jenë aktive.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Nga Forcat e Armatosura po operojnë aktualisht në terren 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Në Dajt vijon puna e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga një helikopter i Forcës Ajrore. Ndërkohë, në Priskë të Madhe po operojnë 4 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Drenie të Patosit, pas riaktivizimit të zjarrit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 7 automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca policore e pyjore, si dhe vullnetarë. Operacioni u mbështet nga dy avionë “Air Tractor”, ndërsa sot vijon edhe me 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Situata vijon të monitorohet edhe në Krujë, ku operacionet janë përqendruar në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet angazhimi i 58 efektivëve të FA-së dhe dy helikopterëve, ndërsa në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, në bashkëpunim me ADZM-në dhe strukturat vendore. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Nëmërçkë po vijon ndërhyrja e forcave të MZSH-së, bashkisë dhe 25 efektivëve të FA-së. Ndërkohë, në malin e Dhëmbelit po punojnë forcat zjarrfikëse të Përmetit, të mbështetura nga 30 efektivë ushtarakë. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, ADZM, vullnetarë, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Për shkak të afërsisë së flakëve me disa banesa në këtë zonë, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre me qëllim mbrojtjen e banorëve dhe pronave.
Aktive mbetet edhe vatra në malin e Moravës, në bashkinë Devoll, në një zonë të mbrojtur me pyll pishe. Në terren po punojnë forcat e MZSH-së së Devollit dhe Korçës, në bashkëpunim me shërbimin pyjor. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet do të vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me fokus mbrojtjen e banesave dhe komuniteteve, kufizimin e përhapjes së flakëve dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive./vizionplus.tv





