Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se u largua në mënyrë sekrete nga samiti i NATO-s në Turqi muajin e kaluar, pasi shërbimet e sigurisë amerikane zbuluan një kërcënim të mundshëm ndaj avionit presidencial.
Trump tha se Shërbimi Sekret dhe ushtria i kërkuan të përdorte një avion tjetër dhe se ai thjesht ndoqi udhëzimet e tyre.
Lexo edhe :
Related Posts
“Unë veproj sipas Shërbimit Sekret dhe ushtrisë. Ata donin që të hipja në një avion tjetër”, u tha Trump gazetarëve.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, më 8 korrik Trump u pa duke hipur në Air Force One, përpara kamerave televizive, por më pas u largua fshehurazi nga avioni përmes një kontejreni, i cili u ngrit në nivelin e avionit. Presidenti u transportua më pas drejt një avioni ushtarak më të vogël, një C-32A, i cili përdoret zakonisht nga nënpresidenti.

Operacioni u zhvillua si një manovër mashtruese. Gazetarët dhe disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë që ndodheshin në Air Force One nuk ishin në dijeni se presidenti ishte larguar nga avioni. Aty ndodheshin gjithashtu disa anëtarë të kabinetit të Trump, mes tyre Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Thesarit Scott Bessent, sipas The New York Times.
Trump kishte mbërritur në Turqi me një Boeing 747-8 të ri, të dhuruar nga Katari, por kishte njoftuar se do të largohej me Air Force One-in e vjetër, “për hir të kohëve të vjetra”. Pamjet televizive e treguan atë duke hipur në avionin presidencial në aeroportin e Ankarasë.
Megjithatë, sipas Washington Post, Trump u largua fshehurazi nga avioni përmes një kontejneri furnizimi dhe u dërgua drejt C-32A. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth hipi veçmas në të njëjtin avion, duke përdorur shkallët e jashtme, në mënyrë që lëvizja të dukej sa më normale.
Trump më pas udhëtoi drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe u rikthye në Air Force One-in e vjetër, përpara se të përdorte avionin e ri të dhuruar nga Katari për udhëtimin drejt Uashingtonit.
Presidenti amerikan ka deklaruar më herët se ishte “objektivi numër një” i Iranit gjatë samitit në Ankara.
“Me sa duket, kishte një kërcënim atje. Nuk pyeta shumë për të. Marr shumë kërcënime”, tha Trump, duke shtuar se ka “shumë kërcënime për të cilat ju nuk dini”./vizionplus.tv






