Çfarë ndodhi në protestë? Hoxha jep detaje në “Të Paekspozuarit”

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar këtë të martë në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, të moderatorit Ylli Rakipi, ka dhënë detaje mbi atë që ndodhi sot në protestë.
Hoxha tha se ata që hodhën flakadanë dhe kapsolla nuk ishin studentë. Ai theksoi se prej disa ditësh ishte paralajmëruar kjo protestë në rrjetet sociale.
Arsyeja pse, sipas tij, u zgjodh Ministria e Arsimit ishte e dyfishtë: së pari, për të treguar madhësi në numër dhe, së dyti, për t’u larguar në rast përplasjeje me policinë.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Hoxha, e ndoqët?
Hoxha: Sigurisht që njoftimi kishte ditë që ishte bërë dhe përgatitja e protestës kishte nisur. Nuk ishte protestë rutinë. U paralajmërua që do të kishte një zhvillim ndryshe, pasi protestat ishin bërë monotone.
Ajo që tërhoqi vëmendjen sot ishte se përqendrimi ishte bërë te Ministria e Arsimit. Në fakt, problemi që kanë sot të pakënaqurit është qeveria, por gjithë përqendrimi shkoi te Ministria e Arsimit, derisa situata eskaloi dhe dolëm në rrugët e Tiranës.
Njoftimi ishte bërë dhe pjesëmarrja ishte marrë përsipër nga organizatorët, por, nga ana tjetër, kishte edhe pjesëmarrës që vinin nga bërthama të tjera.
Nga ora 14:00, kur filloi mbledhja e njerëzve, deri në orën 15:00, ajo që ra në sy ishte se policia kishte ardhur në numër të konsiderueshëm.
Unë besoj se u zgjodh Ministria e Arsimit sepse është një vend i ngushtë, por edhe sepse rrugicat të japin mundësi të largohesh. Në fillim mund të dukej si taktikë, si një kurth që të tërhiqeshin dhe ta bënin më të lehtë largimin.
Fillimisht u hodhën kapsolla dhe flakadanë. Ata nuk më dukeshin studentë, por më tepër të rinj, si grupe tifozësh. Po të shohësh ata që janë vërtet studentë, kur eskaloi situata, nuk ishin aktivë. Sulmi u bë nga një numër i vogël pjesëmarrësish.




